UBT News

Mungesa e ilaçeve në Evropë, çfarë dihet deri më tani?

Farmacitë në Britani të Madhe dhe Francë po përballen me mungesë të një antibiotiku kyç, pasi mjekët paralajmëruan rikthimin e një virusi dimëror, siç është streptokoku i fytit.

Në Britani, Shoqata e Farmacive të Pavarura të Shumëfishta e konsideron shqetësuese mungesën e amoksicilinës në periudhën kur vendi po përballet me rritje të rasteve me ethe të kuqe dhe infeksione të rëndsa sikurse Strep A, që deri më tani shkaktoi vdekjen e nëntë fëmijëve.

Profesionistët shëndetësorë po paralajmërojnë mungesë të barnave edhe në shtete të tjera evropiane, sikurse Italia, si dhe në Kanada e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Francë, qeveria ka pranuar se furnizimet ishin të ulëta si me amoksicilinë ashtu edhe me ilaçin e zakonshëm paracetamol, por që pacientët arritën të gjejnë atë që u përshkruhej.

Emma, nënë e dy fëmijëve e cila jeton në Lion, tha se ajo shkoi në gjashtë barnatore të ndryshme në fund të nëntorit para se të gjente amoksicilinë për të pastruar infeksionin e veshit të djalit të saj trevjeçar.

“E gjeta amoksicilinën në barnatoren e gjashtë dhe ishte paketa e fundit”, tha ajo për Euronews Next, teksa njoftoi se në barnatore i thanë që këtë ilaç edhe mund ta porosiste, por që nuk do të arrinte deri një javë më vonë.

Emma u përball në situatë të njëjtë edhe me mungesë të paracetamolit në formë të lëngshme, që zakonisht shitet pa recetë, për vajzën e saj tremuajshe që vuante nga bronkioliti.

“Ishte një përvojë vërtet stresuese. Kur fëmija juaj është i sëmurë, gjithçka që dëshironi të bëni është ta bëni atë të ndihet më mirë”, tha ajo.

Çfarë po shkakton mungesën e ilaçeve?

Ky fenomen nuk është i ri, por situata është përkeqësuar si pasojë e COVID-19 dhe luftës në Ukrainë.

“Situata ka qenë shumë e keqe ndër vite në të gjitha vendet dhe ka prekur të gjitha llojet e barnave”, tha Ilaria Passarani, Sekretare e Përgjithshme e Grupit Farmaceutik të Bashkimit Evropian (PGEU) që përfaqëson farmacistët e komunitetit.

“Për shtatë, tetë vitet e fundit, problemi veçse u rrit”, tha ajo për Euronews Next, duke shtuar se ka disa shkaqe që e sollën këtë situatë.

Arsyeja kryesore ka të bëjë me globalizimin e prodhimit të barnave. Kina dhe India vlerësohet të prodhojnë midis 60 për qind dhe 80 për qind të përbërësve farmaceutikë aktivë në botë. Ky përqendrim i tregut sjell edhe rreziqe.

Një prodhues gjithashtu mund të ndalojë prodhimin e një produkti kur ai nuk është më mjaft fitimprurës, duke i lënë blerësit me shumë pak alternativa.

Dhe çdo defekt në zinxhirët e furnizimit mund të shkaktojë lehtësisht ndërprerje. Në vitin 2019, një raport ekskluziv nga Vice zbuloi se 14 barna të shëndetit mendor ishin në mungesë pas Brexit.

Këto ditë, faktorë shtesë po kontribuojnë në pengesën. Që nga lufta në Ukrainë, industria farmaceutike – si shumë sektorë – është goditur nga inflacioni i lartë./UBTNews/

Exit mobile version