Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, e pranoi se vendi do të përballet me “probleme të vështira shoqërore” në rast të mungesës së gazit.
Në një intervistë për Der Spiegel, Habeck tha se disa industri të cilave u duhet gaz “duhet të fiken” nëse nuk ka mjaftueshëm gaz në Gjermani.
Vërejtjet e tij erdhën pasi ai ngriti nivelin e alarmit sipas planit të gazit emergjent të Gjermanisë pasi furnizimet me gaz nga Rusia u shkurtuan. Gjiganti rus i energjisë Gazprom javën e kaluar reduktoi dërgesat përmes gazsjellësit Nord Stream në Gjermani me 60%.
Sipas Habeck, reduktimi e shtyu Gjermaninë drejt një situate të vështirë në të cilën s’ka qenë asnjëherë më parë. Nga reduktimi i gazit padyshim që janë prekur industritë dhe familjet gjermane që varen nga importet e energjisë për të përmbushur nevojat e tyre./UBTNews/