Zyra e Presidentes sot ka bërë të ditur se nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit.
Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina ka potencuar se vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve i takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike.
“Sipas praktikës së deritanishme, Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja. Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, Presidentja Osmani do t`i ftoj subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, ka bërë të ditur Kupina.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, sot ka thënë se kanë marrë të gjithë hapat për përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të vendit, përkundër incidenteve të së martës atje. Kështu ka bërë të ditur Radoniqi me rastin e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, si dhe për zgjedhjet e parakohshme të 25 dhjetorit për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Ndërsa nga hedhja e shortit ka dalë kjo renditje: Iniciativa Qytetare Mitrovica me numrin 111, Partia Demokratike e Kosovë 112, Lëvizja Vetëvendosje me numrin, 115 Partija Kosovskih Srba 113, ndërsa Sladjana Pantoviç, kandidate e pavarur për Komunën e Zvecanit me numrin 114.
Zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor, ndërsa zgjedhjet për kuvendet komunale do të mbahen më 25 dhjetor.
Mbrëmë derisa zyrtarët komunalë zgjedhor bashkë me zyrtarët policorë kanë tentuar të hynin në zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore kanë ndodhur shpërthime, të cilat është bërë e ditur të kenë ardhur nga strukturat ilegale serbe në veri.