Nëse hani një ushqim të pasur me fruta, vitamina dhe ushqime të pasura, atëherë me siguri po merrni sasinë e nevojshme të tyre.
Multivitaminat nga ana tjetër ofrojnë një formë më të lehtë për të siguruar këto vitamina.
Sa të nevojshme janë multivitaminat? Më poshtë do të gjeni një udhërrëfyes që AgroWeb ka përgatitur mbi këto suplemente farmaceutike.
Beta karoteni
Gjendet tek karrotat, patatet e ëmbla dhe specat jeshilë. Ky antioksidant transformohet në vitaminë A dhe është i rëndësishëm për shëndetin e syve, sistemin imunitar dhe lëkurën.
Një studim i vitit 2004 tregoi që suplementët e kësaj vitamine rrisin rrezikun e tumorit të mushkërive tek duhanpirësit.
Ndaj nëse pini duhan, mos merrni suplementë dhe përpiquni të merrni beta karotenin nga frutat dhe perimet.
Kalciumi
Organizmi ynë ka nevojë për kalcium, që kryesisht gjendet tek produktet si qumështi, kosi dhe djathi, për të ruajtur shëndetin e kockave dhe parandaluar osteoporozën.
Suplementët nuk janë një ide e keqe nëse nuk përdorni produktet blegtorale. Megjithatë nëse jeni të predispozuar ndaj gurëve në veshka ose nëse jeni mbi moshën 70 vjeç, atëherë mos merrni suplementë të kalciumit.
Një raport i vitit 2010 shpjegonte që suplementet shtonin rreziqet ndaj sëmundjeve kardiake tek femrat që sapo kishin kapërcyer menopauzën.
Edhe nëse vendosni të merrni suplementë mos merrni më shumë se 500 miligramë në një dozë dhe kombinojini me vitaminë D për të përmirësuar përthithjen e kalciumit në organizëm.
Acidi folik
Acidi folik që parandalon defektet e fetusit gjendet në drithrat e pasuruara, perimet me ngjyrë të gjelbër të errët, legume, agrumet, buka dhe makaronat.
Marrja e 400 mikrogramëve të kësaj vitamine B në ditë ose 600 për gratë shtatzëna ose lehona, nuk është një angazhim i jashtëzakonshëm. Kjo sasi vjen edhe nga ushqimi, suplementët ose të dyja së bashku.
Hekuri
Ndoshta ushqimet me hekur nuk ju pëlqejnë, por ky mineral është thelbësor për funksionin e duhur të qelizave të kuqe të gjakut dhe si rrjedhojë për parandalimin e anemisë.
Përpiquni të merrni hekur nga burime të tjera siç është mishi, peshku, arrorët, barishtet.
Nëse jeni anemikë ose shtatzëna, mund të keni nevojë për suplementë. Por vetëm në bashkëpunim me mjekun.
Multivitamina
Faktet mbi rolin e multivitaminave në parandalimin e kancerit të gjirit janë të limituara.
Madje, studime në vitin 2006 nuk nxorrën konkluzione të qarta nëse ia vlente barra qeranë për të marrë multivitamina.
Multivitaminat nuk janë një ide e keqe, por mos prisni vlera të jashtëzakonshme ose që ato t’ju shpëtojnë jetën.
Kaliumi
Kaliumi ul presionin e gjakut, madje edhe mund të rregullojë rrahjet e çrregullta të zemrës dhe kundërveprojë ndaj niveleve të larta të kripës.
Kaliumi gjendet tek bananet, rrushi i thatë, barishtet, portokalli dhe qumështi.
Duhet të merrni në konsideratë marrjen e suplementëve vetëm në rast se rrezikoheni nga tensioni i lartë dhe sëmundjet e zemrës.
Vitamina D
Vitamina D, që ndihmon organizmin në përthithjen e kalciumit është e nevojshme për shëndetin e kockave.
Ajo merret kryesisht nga ekspozimi në diell. Nëse fëmijët tuaj marrin pak vitaminë D, atëherë ata janë të rrezikuar nga osteoporoza dhe rakitizmi.
Të dhënat tregojnë që vitamina ul rrezikun e diabetit 1 dhe 2, sklerozës së shumëfishtë etj.
Mjaftojnë pak rreze dielli dhe ushqime të mira për të marrë dozën e nevojshme por sërish mangësitë ndaj kësaj vitamine nuk janë të pazakonta.
Suplementët mund të jenë një ide e mirë, veçanërisht nëse nuk keni ekspozim të mirë në diell, nëse jeni mbi 50 vjeç ose keni një lëkurë me ngjyrë të errët.
Vitamina E
Harrojini suplementët dhe merreni vitaminën E nga ushqimet siç janë: veza, kikirikët, drithërat e pasuruar, dhe barishtet.
Kini parasysh që gatimi dhe ruajta e ushqimeve të pasura me vitaminë E e ul sasinë përfundimtare të saj që përfundon në organizëm./AgroWeb.org
* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.