Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 13 vjet burg, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 2 shkurt 2026, raporton KosovaPress.
Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, i cili ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve, ndërsa është obliguar për shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumën prej 200 euro dhe 100 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Sipas aktakuzës, Muhamet Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë./Kosovapress/
