UBT News

Muaji Rozë – Kujdesi dhe ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit

Tetori njihet si Muaji Rozë, periudhë kur vëmendja i kushtohet ndërgjegjësimit dhe parandalimit të kancerit të gjirit.

Informimi i saktë është fuqi – sa më shumë të dini, aq më të afta jeni të merrni vendime të kujdesshme për shëndetin tuaj.

Kontrolli dhe mamografia

Rekomandohet që gratë mbi 40 vjeç të kryejnë mamografi çdo vit. Në shumë raste, kjo është e mbuluar nga sigurimet shëndetësore ose ofrohet falas nga organizata të ndryshme për ato që nuk kanë sigurim. Kujdesi për shëndetin nuk duhet të ndalet për shkak të arsyeve financiare.

Mos e lini frikën t’ju ndalojë

Edhe pse për disa gra procesi i mamografisë mund të jetë i pakëndshëm apo i dhimbshëm, ai është i sigurt dhe i shpejtë. Për ta lehtësuar, mund ta planifikoni vizitën pas përfundimit të ciklit menstrual, kur gjoksi është më pak i ndjeshëm. Gjithashtu, një qetësues i thjeshtë si ibuprofeni, aspirina apo acetaminofeni, i marrë një orë para vizitës, mund të ndihmojë.

Jo çdo kancer gjiri është i dukshëm

Nuk duhet të prisni të ndjeni një “gungë” për ta kuptuar. Disa forma të kancerit të gjirit nuk shfaqin masa të prekshme. Shenja si ënjtje, dhimbje apo skuqje që zgjat më shumë se cikli menstrual, duhet të jenë sinjal për të kryer një kontroll.

Mund të prekë çdo moshë – edhe burrat

Edhe pse më shpesh prek gratë mbi 40 vjeç, rreth 11% e rasteve ndodhin tek gratë nën 45 vjeç. Po ashtu, edhe burrat nuk janë të përjashtuar – 1 në 830 burra diagnostikohen me këtë sëmundje.

Faktorët gjenetikë

Historia familjare është tregues i rëndësishëm. Gratë që kanë familjarë me kancer gjiri, vezorësh, pankreasi apo koloni, duhet të jenë më të kujdesshme. Megjithatë, një lajm inkurajues është se 90% e rasteve nuk lidhen drejtpërdrejt me gjenetikën.

Kanceri i gjirit është i trajtueshëm

Falë diagnostikimit të hershëm e përparimeve mjekësore, shanset për mbijetesë janë rritur ndjeshëm. Sipas Fondacionit Kombëtar të Kancerit të Gjirit, 62% e rasteve zbulohen në fazë të hershme, kur trajtimi është më efektiv.

Çka mund të bëni vetë?

Stili i jetesës ka një ndikim të madh në uljen e rrezikut:

Ushqehuni shëndetshëm, me shumë fruta dhe perime.

Kufizoni mishin dhe shmangni ushqimet e përpunuara.

Ushtrohuni rregullisht.

Shmangni ose ndaloni duhanin – një nga faktorët më të rrezikshëm për shëndetin. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version