Në UBT u mbajt një ngjarje e veçantë në kuadër të muajit Tetor Rozë, dedikuar ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit. Kjo ngjarje kishte si qëllim të nxisë ndërveprimin dhe të promovojë veprime konkrete për shëndetin e grave dhe vajzave në Kosovë.
Pjesëmarrësit përfshinin përfaqësues nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, profesorë, dekanë dhe studentë të UBT-së. Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe kujdesit të vazhdueshëm ndaj shëndetit të grave. Ekspertët mjekësorë nënvizuan se diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë dhe inkurajuan gratë dhe vajzat të kryejnë kontrolle të rregullta dhe të informohen për metodat e parandalimit dhe trajtimit të kancerit të gjirit.
Fjalimet e përfaqësuesve të UBT-së dhe të ftuarve reflektuan angazhimin e tyre për të mbështetur fushata të tilla dhe për të ofruar platforma informuese për shëndetin publik. Ata bënë thirrje për vëmendje të shtuar ndaj shëndetit të grave, duke theksuar se kontrollet mjekësore të rregullta janë të domosdoshme për parandalimin e sëmundjeve.
Ngjarja u shoqërua me aktivitete ndërgjegjësuese, duke përfshirë shpërndarjen e materialeve informuese dhe mundësinë për të bërë pyetje ekspertëve. UBT demonstroi kështu angazhimin e tij për shëndetin e komunitetit, duke ofruar një platformë të vlefshme për informimin dhe mbështetje për çdo grua dhe vajzë në Kosovë./UBTNews/