UBT News

MSh-ja: Në Kosovë s’ka asnjë rast të dyshimtë me linë e majmunëve

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në Kosovë nuk ka asnjë rast të dyshimtë me linë e majmunëve. Shqetësimi është rritur pasi në disa shtete të Evropës janë regjistruar rastet e para.

Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Institutin Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, po përcjellin me vëmendje epidemiologjinë e Lisë së Majmunëve, që nga paraqitja e rasteve të para jashtë kontinentit të Afrikës, në ShBA, Evropë dhe Izrael, me mbi 100 raste të raportuara deri më tani.

“Ju njoftojmë se jemi në komunikim t vazhdueshëm me OBSh-në dhe ECDC-në, për vlerësimin e rrezikshmërisë dhe rekomandimeve për masat që duhet ndërmarrë për sëmundjen në fjalë.Sa i përket furnizimit me vaksina për një sëmundje të tillë, IKShP njofton se vaksina ende nuk është e disponueshme për distribuim dhe ekziston në botë vetëm vaksina kundër Variola Vera. IKShPK në vazhdimësi po monitoron nga afër situatën epidemiologjike në shtetet e rajonit dhe në botë, dhe konform situatës do të njoftoheni menjëherë në kohë reale”, thuhet në njoftim.

Disa informacione për linë e majmunëve:

• Lija e majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunëve, anëtar i gjinisë Orthopoxvirus në familjen Poxviridae;

• Lija e majmunëve është sëmundje zoonotike virale që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të pyjeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore dhe herë pas here eksportohet në rajone të tjera;

• Lija e majmunëve zakonisht shfaqet klinikisht me ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjeve limfatike dhe mund të çojë në sërë komplikimesh mjekësore;

• Lija e majmunëve është zakonisht sëmundje me simptoma të kufizuara që zgjasin nga 2 deri në 4 javë. Mund të ndodhin raste të rënda. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%;

• Lija e majmunit transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me person ose kafshë të infektuar, ose me material të kontaminuar me virusin;

• Virusi i lisë së majmunit transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe materiale të kontaminuara si shtrati;

• Paraqitja klinike e lisë së majmunëve i ngjan asaj të lisë, një infeksion i lidhur me ortopoksvirusin i cili u shpall i çrrënjosur në mbarë botën në vitin 1980. Lija e majmunëve është më pak ngjitëse se lija dhe shkakton sëmundje më pak të rënda;

• Vaksinat e përdorura gjatë programit të çrrënjosjes së lisë ofruan gjithashtu mbrojtje kundër lisë së majmunëve. Janë zhvilluar vaksina më të reja nga të cilat njëra është miratuar për parandalimin e lisë së majmunëve;

• Një agjent antiviral i zhvilluar për trajtimin e lisë është licencuar gjithashtu për trajtimin e lisë së majmunëve./UBTNews/

Exit mobile version