UBT News

MPJD: Ish-deputeti Agusholli u ndalua nga autoritetet serbe në Merdarë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka thënë se ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, është ndaluar nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdarë, mëngjesin e së hënës, më 26 maj 2025.

Sipas njoftimit të MPJD-së, Agusholli – i cili nuk arriti të zgjidhet sërish si deputet në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, kur garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje – ishte në tranzit drejt Sllovenisë kur u ndalua nga autoritetet serbe.

Rasti është bërë i ditur përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, e cila ka informuar misionet diplomatike të shteteve të QUINT-it dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Beograd.

MPJD-ja ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin,” thuhet në reagimin e Ministrisë, ku gjithashtu dënohet “fuqishëm ky veprim arbitrar i autoriteteve serbe”.

Në njoftimin e MPJD-së nuk bëhet e ditur se si e kanë arsyetuar autoritetet e Serbisë ndalimin e tij.

Ministria i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë urgjentisht dhe të kërkojë lirimin e menjëhershëm të Agushollit, duke e cilësuar ndalimin si një praktikë represive që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me konventat për të drejtat e njeriut.

Ky njoftim vjen dy ditë pasi autoritetet serbe lëshuan fletarrestim për një pjesëtar të Policisë së Kosovës, në lidhje me një incident me maturantë një ditë më parë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë, pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.

Incidenti në Mitrovicën e Veriut më 23 maj shkaktoi reagime të shumta kryesisht për shkak të mënyrës se si i ishte përgjigjur atij një pjesëtar i Policisë së Kosovës që ndodhej në afërsi.

Polici është kritikuar se veproi në mënyrë “selektive” dhe përdori “forcë të tepruar” kur e ndali një maturant serb të Kosovës gjatë një feste të maturantëve në Mitrovicën e Veriut për shkak se, siç thuhet, ai i kishte provokuar njerëzit në një kafene aty pranë.

Në pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale, shihet një maturant gjatë paradës duke treguar gishtin e mesëm në drejtim të një kafeneje, ndërsa nga aty një klient, siç thuhet, po bënte me duar simbolin e shqiponjës dykrenore – e cila është simbol në flamurit kombëtar shqiptar.

Shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, reagoi ndaj incidentit duke thënë se ndihej “thellësisht i tronditur” dhe e dënoi “përdorimin e tepruar të forcës nga polici i Kosovës ndaj të riut në Mitrovicën e Veriut”.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, theksoi se polici kishte vepruar në mënyrë “profesionale” dhe se ndërhyrja kishte për qëllim të ndalte përshkallëzimin pas provokimeve nga disa maturantë, të cilët, sipas tij, përdorën simbole nacionaliste dhe brohoritje shoviniste si “Kosova është zemra e Serbisë”./REL/

Exit mobile version