Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës apelon të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë në Kosovë që gjatë udhëtimit të kenë dokumente të vlefshme, përmes transportit rrugor.
Përmes një njoftimi zyrtar, MPJD thekson se udhëtimi me dokumente të skaduara nuk lejohet nëpër territoret e disa shteteve, pavarësisht nga praktikat e vendit ku nis udhëtimi.
“Duke iu referuar rasteve të fundit të paraqitura gjatë kalimeve tranzit, veçanërisht nëpër territorin e Italisë, theksojmë nevojën që qytetarët të verifikojnë paraprakisht kërkesat për dokumentacion për secilin vend që kalojnë gjatë udhëtimit të tyre.
Lusim qytetarët që të planifikojnë udhëtimet e tyre me kujdes dhe të informohen për kushtet e kalimit nëpër secilin shtet përmes të cilit udhëtojnë. Në raste pasigurie, ju ftojmë të kontaktoni misionet tona diplomatike dhe konsullore për udhëzime shtesë”, thuhet në njoftim.