Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të premten ka mbajtur takimin e rregullt me Atashetë e Migrimit të ambasadave të huaja në Kosovë, me qëllim për të diskutuar trendët e përgjithshme të migrimit, me theks të veçantë në monitorimin e procesit të lëvizjes së kosovarëve pas procesit të liberalizimit të vizave.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, ka deklaruar se migracioni i parregullt nga Kosova ka shënuar rënie ndërsa migracioni i rregullt me qëllim të punësimit është në rritje.
“Që nga fillimi i zhvillimit të politikave të migracionit të artikuluara në kuadër të dokumenteve strategjike, fokusi kryesor ka qenë tek parandalimi i migracionit të parregullt dhe garantimi i migrimit të sigurt, të organizuar dhe të rregullt. Dhe kjo qasje e ndërtuar ndër vite ka dhënë rezultatet e saj dhe tashmë tendencat e migracionit, veçanërisht migracioni i parregullt nga Kosova drejt Bashkimit Evropian, ka shënuar një zvogëlim të ndjeshëm, ndërsa trendi i migracionit të rregullt, veçanërisht për qëllime të punësimit, është në rritje”, citohet Gashani në komunikatën e Ministrisë.
Ai ka theksuar se si institucione kanë bërë përgatitjet e duhura për të menaxhuar lëvizjen e qytetarëve pas procesit të liberalizimit, duke përfshirë informimin e qytetarëve lidhur me të drejtat dhe obligimet që derivojnë nga kjo liri e lëvizjes.
“Në bazë të raporteve, të cilat i kam pranuar nga mekanizmat përgjegjës institucionalë deri më tani, çdo gjë është duke shkuar në suaza normale dhe nuk janë raportuar raste të mosrespektimit të rregullave”, citohet Gashani.
Tutje Gashani, vuri në dukje se në fushën e legjislacionit gjatë tremujorit të parë të këtij viti, në bazë të planit legjislativ të Qeverisë, presin miratimin e ligjit të ri për të huajt, që sipas tij është një ndër ligjet bazike që rregullon fushën e migracionit në Republikën e Kosovës.
“Në kuadër të këtij projektligji kemi përfshirë disa çështje me rëndësi, të cilat padyshim se do të avancojnë sistemin për menaxhimin e migrimit në vend. Fokus i veçantë i është kushtuar parimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe direktivave të BE-së që kanë të bëjnë me trajtimin dhe kthimin e migrantëve me qëndrim të parregullt në territorin e Republikës së Kosovës”, tha Gashani.
Në këtë takim u diskutuan për çështje të ndryshme për fushën e migrimit. Në këto diskutime morën pjesë përfaqësues të Policisë së Kosovës, zyrtarë të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, Atashe, si dhe organizata që mbështesin fushën e migrimit.