UBT News

Motorola gati të prezantojë telefonin ultra të hollë Edge 70

Motorola po hyn fuqishëm në tregun e telefonave inteligjentë ultra të hollë, pas lançimeve si Samsung Galaxy S25 Edge, Tecno Spark Slim, Tecno Pova Slim dhe, sigurisht, Apple iPhone Air.

Modeli i ri i kompanisë do të quhet X70 Air në Kinë dhe Edge 70 në tregun ndërkombëtar. Ndërsa versioni kinez pritet të lansohet gjatë këtij muaji, data e prezantimit global ka qenë deri tani e panjohur – derisa faqja zyrtare e Motorola në Poloni ka zbuluar një detaj të rëndësishëm.

Sipas saj, Edge 70 do të prezantohet më 5 nëntor, deri atëherë kompania do të publikojë çdo të mërkurë informacione të reja rreth pajisjes.

Detajet e para të konfirmuara janë premtuese. Telefoni do të vijë me një bateri 4,800 mAh, pak më të vogël se ajo e modeleve të Tecno, por dukshëm më të madhe krahasuar me Galaxy S25 Edge dhe iPhone Air. Ai do të mbështesë gjithashtu karikim të shpejtë 68W me tel.

Edge 70 është shfaqur në disa lista shitësish me pakicë në Itali, me çmime që variojnë nga 709 euro deri 801.91 euro, për versionin me 12 GB RAM dhe 512 GB hapësirë ruajtjeje.

Të gjitha listat tregojnë të njëjtën ngjyrë, Bronze Green, e cila do të prezantohet zyrtarisht si Pantone Bronze Green, falë bashkëpunimit të njohur të Motorola me Pantone. Sipas informacioneve të rrjedhura, Edge 70 pritet të jetë më pak se 6 mm i hollë, të ketë një kamerë kryesore 50 MP me stabilizim optik, një kamerë ultra të gjerë me fushëpamje 120°, si dhe altoparlantë stereo me mbështetje Dolby Atmos.

Ky model pritet të shënojë një tjetër hap të rëndësishëm për Motorola në garën e telefonave të hollë dhe elegantë. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version