UBT News

Moti i keq në Shqipëri, pezullohet mësimi në dhjetëra shkolla

Shqipëria është përfshirë nga moti i keq në orët e fundit, ndërkohë në dhjetëra shkolla është pezulluar përkohësisht mësimi, transmeton Anadolu.

Reshjet e dëborës dhe shiut kanë përfshirë disa zona të Shqipërisë, ndërkohë sipas autoriteteve nga reshjet e borës janë bllokuar edhe disa akse rrugore.

Në një njoftim për mediat, Ministria e Arsimit dhe e Sportit e Shqipërisë ka konfirmuar se mësimi është pezulluar në 77 shkolla në disa zona për shkak të kushteve të rënduara të motit.

Ministria e Arsimit dhe Sportit informon se, për shkak të situatës së rënduar nga moti i keq, rekomandimeve te autoriteteve përgjegjëse për emergjencat civile, si dhe raportimet nga zyrat vendore arsimore, më datë 13 janar 2025, pezullohet përkohësisht procesi mësimor në 77 shkolla qendër dhe shkollat e tyre vartëse, ku reshjet e dendura të dëborës dhe kushtet e vështira të motit e bëjnë të pamundur zhvillimin e procesit mësimor“, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, problematike paraqitet situata në disa shkolla në zonat e Bulqizës, Matit, Dibrës, Krujës, Hasit, Kukësit, Mirditës, Kurbinit, Pukës dhe zona të tjera.

Në njoftim thuhet se procesi mësimor në këto shkolla pezullohet deri në një njoftim të dytë dhe do zëvendësohet në javët në vijim.

Ky vendim është marrë për të garantuar sigurinë e nxënësve, mësuesve dhe personelit arsimor në zonat më të prekura nga moti i keq“, thuhet në njoftim.

Sipas informacioneve nga Instituti i Gjeoshkencave të Shqipërisë (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak i Shqipërisë (SHMU) reshjet e dëborës pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme në zonat veriore, verilindore, qendrore dhe juglindore të vendit.

Exit mobile version