Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga janari deri më 14 mars janë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 328 gjoba, duke theksuar se këta muaj gjobat kanë qenë minimale, me qëllim që të nxisin bashkëpunim të ndërsjellë, pa i ngarkuar bizneset, ndërsa tash e tutje gjobat për ata që thyejnë ligjin do të jenë maksimale, prej 1000 deri në 3000 euro.
Sipas MSh-së, duhani vret më shumë se 8 milionë njerëz çdo vit në botë, duke përfshirë rreth 1.3 milion jo-duhanpirës të cilët janë të ekspozuar ndaj tymit të dorës së dytë.
“Në çdo 6.5 sekonda një njeri vdes në botë nga pasojat e duhanpirjes; Duhani vret gjysmën e përdoruesve të tij. Është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë; Pirja e duhanit vlerësohet se shkakton: 67% të gjitha vdekjeve nga kanceri i mushkërive; 34% të vdekjeve nga sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe 8% të vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare. Prandaj mos pi duhan. Jeto, merr frymë lirshëm”, thuhet në njoftimin e ministrisë.