Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave lidhur me procesin e rinumërimit të votave në komunën e Drenasit.
Sipas njoftimit, Prokuroria, duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ka vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të këtij procesi në Drenas.
Në këtë drejtim, prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës me qëllim të grumbullimit të informatave, evidentimit të shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimit të provave që lidhen me këtë çështje.
Po ashtu, bëhet e ditur se prokurori i shtetit është duke përcjellë nga afër edhe procesin e rinumërimit në komunat e tjera që bien në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Pas përfundimit të këtij procesi, do të analizohen të gjitha rrethanat dhe do të shqyrtohet mundësia e lëshimit të autorizimeve shtesë për grumbullim informatash.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative në Republikën e Kosovës, veçanërisht në rastet që lidhen me mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë.
