UBT News

Mosmarrëveshje në BE për ligjshmërinë e sulmit të Izraelit ndaj Iranit

Në prag të samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, tensionet brenda unionit për shprehjen e një qëndrimi të përbashkët ndaj krizës në Lindjen e Mesme po bëhen të dukshme. Sipas burimeve diplomatike, disa vende anëtare kanë rezerva për ligjshmërinë e sulmit të Izraelit ndaj Iranit sipas së drejtës ndërkombëtare.

Një nga pikat kyçe të debatit është interpretimi i së drejtës për vetëmbrojtje, e cila sipas Kartës së OKB-së lejohet vetëm në raste sulmesh të armatosura, me masa proporcionale dhe të domosdoshme. Disa shtete, si Austria, Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda, mbështesin përfshirjen e një formulimi që thekson këtë të drejtë për Izraelin, por mungesa e konsensusit ka penguar miratimin e tij në qëndrimin zyrtar të BE-së.

Në anën tjetër, vende të tjera anëtare kanë shprehur rezervat e tyre, duke vënë në dyshim bazat ligjore të ofensivës izraelite dhe duke kërkuar respektimin strikt të së drejtës ndërkombëtare.

Në këtë sfond, deklarata e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila u shpreh në rrjetin social X për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, është kritikuar nga disa diplomatë si tejkalim i gjuhës zyrtare të dakorduar nga Këshilli i BE-së.

Mungesa e një pozicioni të qartë nga BE-ja në këtë çështje vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje, duke rrezikuar të minojnë rolin diplomatik të Bashkimit Evropian në arenën ndërkombëtare.

Çështja do të jetë në fokus të takimit të ambasadorëve të BE-së këtë të enjte në Bruksel, ku pritet të bëhet përpjekje për të kapërcyer këto dallime para samitit të ardhshëm të liderëve të unionit.

Exit mobile version