Ministri rus i Mbrojtjes akuzoi të martën bombarduesit amerikanë se po provonin një sulm bërthamor ndaj Rusisë nga dy drejtime të ndryshme në fillim të këtij muaji, përcjell UBT News.
Akuza e Moskës vjen në një kohë tensioni të lartë mes dy vende sa i përket Ukrainës, ku zyrtarët amerikanë po shprehin shqetësime për një sulm të mundshëm rus ndaj Ukrainës – akuza që Kremlini i ka hedhur poshtë.
Moska nga ana e saj ka akuzuar SHBA-në, NATO-n dhe Ukrainën për sjellje provokuese dhe të papërgjegjshme, duke vënë në dukje furnizimet me armë të SHBA-së për Ukrainën, përdorimin e dronëve sulmues kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe stërvitjet ushtarake të NATO-s pranë kufijve të saj.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu tha se Moska kishte vërejtur një rritje të konsiderueshme në aktivitetin e bombarduesve strategjikë amerikanë, të cilët ai tha se kishin kryer 30 fluturime afër Rusisë këtë muaj. Kjo, sipas tij, ishte 2.5 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, transmeton UBT News.
Shoigu u ankua veçanërisht për atë që ai tha se ishte një sulm i simuluar bërthamor i SHBA-së kundër Rusisë në fillim të këtij muaji.
“Afërsia minimale me kufirin tonë shtetëror ishte 20 km” tha ai. Megjithatë Pentagoni mohoi këto deklarata.
“Këto misione u shpallën publikisht në atë kohë dhe u planifikuan ngushtë me (Komandën Strategjike), (Komandën Evropiane), aleatët dhe partnerët për të siguruar mundësi maksimale të trajnimit dhe integrimit, si dhe pajtueshmërinë me të gjitha kërkesat dhe protokollet kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha Koloneli Anton Semelroth, një zëdhënës i Pentagonit.
Oficerët e lartë ushtarakë rusë dhe amerikanë, shefi i shtabit të përgjithshëm Valery Gerasimov dhe kryetari i shefave të përbashkët të shtabit, Mark Milley, folën me telefon të martën, por asnjëra palë nuk zbuloi përmbajtjen e bisedës./UBTNews/