UBT News

Moska nuk do të pranojë asgjë tjetër, përveç garancisë që ndalon zgjerimin e NATO-s në Ukrainë

Moska nuk do të pranojë asgjë tjetër, përveç garancive të SHBA-së që pengojnë zgjerimin e NATO-s në Ukrainë, paralajmëroi të mërkurën një diplomat i lartë i Kremlinit.

Zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, ripohoi se Moska nuk ka synime të pushtojë Ukrainën siç thuhet nga Perëndimi, por se pranimi i garancive perëndimore rreth sigurisë është imperativi kategorik për Moskën.

Nga nëntori, Rusia ka grumbulluar rreth 100,000 trupa pranë Ukrainës në atë që Perëndimi druhet se mund të jetë përgatitje për një pushtim. Me këtë rast, zyrtarët ukrainas kanë thënë se Moska mund të përdorë territorin bjellorus për të nisur një pushtim potencial të shumëanshëm. Ministria ruse e Mbrojtjes tha të mërkurën se disa nga trupat e saj tashmë kanë mbërritur në Bjellorusi për stërvitjet “Allied Resolve” 2022.

Mes tensioneve në rritje, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken vizitoi Ukrainën të mërkurën për të siguruar që ajo mund të llogarisë në mbështetjen perëndimore përballë asaj që ai e quajti agresionin “e pamëshirshëm” rus.

Rusia ka mohuar se ka ndërmend të sulmojë fqinjin e saj, por ka kërkuar garanci nga Perëndimi se NATO nuk do të zgjerohet në Ukrainë ose në vende të tjera ish-sovjetike apo të vendosë trupat dhe armët e saj atje.

Ryabkov paralajmëroi se kërkesat ruse “përbëjnë një pako dhe ne nuk jemi të përgatitur ta ndajmë atë në pjesë të ndryshme”.

Diplomati rus nënvizoi se lidhjet gjithnjë e më të ngushta të Ukrainës me aleatët e NATO-s përbëjnë një sfidë të madhe sigurie për Rusinë./UBTNews/

Exit mobile version