Autoritetet ruse kanë kërcënuar kompanitë e huaja që duan të tërhiqen nga vendi me arrestime dhe sekuestrime asetesh, raportoi të dielën Wall Street Journal, përcjell UBT News.
Prokurorët rusë kanë lëshuar paralajmërime për disa subjekte të huaja — përmes telefonatave, letrave dhe vizitave personale — duke përfshirë Coca-Cola, McDonald’s, Procter & Gamble, IBM dhe Yum Brands, kompania mëmë e KFC dhe Pizza Hut.
Ata kanë kërcënuar se do të arrestojnë zyrtarë që kanë kritikuar qeverinë ose do të sekuestrojnë pasuri, përfshirë pronësinë intelektuale.
Paralajmërimet kanë nxitur të paktën një nga kompanitë e synuara të kufizojë komunikimet midis biznesit të saj rus dhe pjesës tjetër të kompanisë, nga shqetësimi se emailet ose mesazhet me tekst midis kolegëve mund të përgjohen, thanë disa prej njerëzve (të njohur me këtë çështje)”, sipas Wall Street Journal.
Rusia është përballur me sanksione të pashembullta të vendosura nga qeveritë perëndimore pas pushtimit të Ukrainës, me një listë në rritje të kompanive që njoftojnë tërheqjet e tyre nga vendi ose planet e tyre për të pezulluar aktivitetet atje.
Autoritetet ruse kanë rritur përpjekjet për të parandaluar daljen e parave nga kufijtë e saj dhe për të mbështetur rublën, e cila tashmë ka parë një rënie të shpejtë të vlerës kundrejt dollarit.
Ndërkohë Zyra e Prokurorit të premten urdhëroi “kontroll të rreptë” të kompanive që kishin njoftuar një pezullim të aktiviteteve të tyre në Rusi, duke paralajmëruar veçanërisht për rritjen e monitorimit të pajtueshmërisë së legjislacionit të punës, nën dënimin e ndjekjes penale./UBTNews/