Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka akuzuar të martën Ukrainën për nisjen e një sërë sulmesh me dronë që synonin infrastrukturën thellë brenda Rusisë, përfshirë afër kryeqytetit, pasi një zjarr shpërtheu në një depo nafte dhe autoritetet mbyllën papritmas hapësirën ajrore mbi qytetin e dytë më të madh të vendit.
Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrey Vorobyov pretendoi se një dron ukrainas ishte rrëzuar pranë fshatit Gubastovo në juglindje të kryeqytetit. Droni me sa duket kishte për qëllim atë që ai e quajti “infrastrukturë civile”, më vonë u konfirmua se ishte një objekt gazi i operuar nga kompania shtetërore Gazprom.
Objekti mbeti i padëmtuar, njoftoi media shtetërore, duke cituar Ministrinë e Energjisë të rajonit.
Media shtetërore më vonë postoi një fotografi të asaj që tha se ishte pajisja e rrëzuar, e cila dukej se i ngjante një droni sulmues UJ-22 të prodhimit ukrainas.
Përplasja dyshohet se ishte një nga disa tentativa për sulme, me mediat shtetërore që raportuan se një dron u rrëzua pranë kufirit të Bjellorusisë dhe ministria e mbrojtjes pretendoi se dy sulme të tjera u penguan përmes përdorimit të teknologjisë së bllokimit të dronëve në rajonet Krasnodar dhe Adygea./UBTNews/