UBT News

Mos e merrni stresin në shtëpi: Si të mos mendoni për punën në fundjavë?

Gjetja e ekuilibrit të duhur mes suksesit profesional dhe kohës personale është shpesh një sfidë e madhe, thuajse e pamundur, por jo e paarritshme.

Sipas ekspertes së karrierës Emily Durham, nëse keni vështirësi të vendosni kufij mes punës dhe jetës personale, filloni nga fundjavat. Fokusohuni te mënyrat si mund të ndaloni së menduari për punën gjatë këtyre ditëve të lira.

Më poshtë janë tre strategji që ekspertët rekomandojnë për t’u shkëputur mendërisht nga puna gjatë fundjavës:

1. “Pastroni” email-et dhe përfundoni detyrat para se të mbyllni javën

Për të pasur një fundjavë të qetë, duhet të përgatiteni të premten. Para se të largoheni, organizoni kutinë postare e listën e detyrave. Nuk është e nevojshme t’i përgjigjeni çdo email-i, mjafton të përcaktoni prioritetet dhe të arkivoni pjesën tjetër në një dosje që e hapni të hënën.

Durham thekson rëndësinë e krijimit të një ndjesie “mbylljeje” para se të shkëputeni nga kompjuteri i punës të premten. Mos harroni të fikni ose të çaktivizoni njoftimet nga aplikacionet e punës.

Sa më të qarta të jenë kufijtë që vendosni mes karrierës e kohës personale, aq më shumë i jepni mundësi mendjes dhe trupit të çlodhen.

2. Planifikoni diçka konkrete për të premten në mbrëmje

Fundjava fillon që të premten pasdite, mos e lejoni të shkojë dëm. Shpesh, përpiqemi të përfundojmë çdo detyrë të premten dhe përfundojmë duke punuar më shumë se zakonisht, duke hyrë në fundjavë të lodhur dhe pa energji.

Ekspertët e karrierës këshillojnë të bëni plane specifike për të premten në mbrëmje, qoftë një kafe me miqtë, një aktivitet relaksues apo edhe një takim te estetistja juaj. Këto plane do t’ju motivojnë të mbyllni detyrat në kohë dhe të largoheni nga puna pa ndjesi faji apo pasiguri.

3. Fikeni telefonin e punës

E kemi thënë dhe e themi sërish: vendosni kufij të qartë. Pse të mbani kontakt me punën në fundjavë, kur është koha për të pushuar dhe për t’u marrë me veten dhe të dashurit tuaj?

Kur themi “telefoni i punës”, nuk nënkuptojmë pajisje fizike, por çdo aplikacion, apo email që ju kthen te puna. Fikeni ose vendosini në heshtje. Sa më të fortë të jenë kufijtë që vendosni mes punës e jetës personale, aq më shumë i jepni vetes hapësirë për të rifituar energjinë.

Mos punoni falas në fundjavë. Mos sakrifikoni jetën personale për email-e që mund të presin të hënën. /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version