Anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Beçiroviq dhe kryetarja e Bashkisë së metropolit francez, Anne Hidalgo përuruan sot në Paris monumentin kushtuar viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.
Monumenti ndodhet në rrugicën e monumenteve përkujtimore në varrezat Père Lachaise, pranë atyre të dedikuara për viktimat e gjenocidit në Ruandë dhe ushtarëve francezë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.
Ai u ngrit me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit kundër boshnjakëve, dhe iniciativa për ndërtimin e tij erdhi nga organizata joqeveritare Solidariteti me Bosnjën dhe Hercegovinën (SIBH-Francë), me mbështetjen e autoriteteve të qytetit të Parisit, transmetojnë mediat boshnjake.
“Kujtimi i gjenocidit të Srebrenicës duhet të jetë themeli për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, më të sigurt dhe më të drejtë, sepse vetëm me të vërtetën, respektin për viktimat dhe përgjegjësinë mund të sigurohemi që gjenocidi të mos ndodhë më kurrë“, tha Beçiroviq.
Gjenocidi i Srebrenicës, i kryer nga forcat serbe të Bosnjës, konsiderohet krimi më i keq i luftës i kryer në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë në masakrën serbe në vitin 1995.