Mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partneriteti i shumanshëm, u vlerësuan lart nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin me zëvendës ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit, Molly Montgomery.
Montgomery theksoi marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën.
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo falënderoi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë.
Kryeministri Kurti tha se “kjo ndihmë ishte obligim humanitar yni dhe se populli dhe institutcionet e Kosovës duan t’i qëndrojnë në krah ShBA-ve, aleatit tonë strategjik”.
Ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Sipas një komunikate të Qeverisë, Kurti po ashtu e njoftoi për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë.
Kurti u shpreh mirënjohës për vlerësimin e Presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke.
“Gjithashtu, u bisedua për situatën e mirë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe administrimin e rreth 1.6 milionë dozave. Kryeministri Kurti falënderoi ShBA-në për ndihmën në procesin e sigurimit të vaksinave kundër Covid-19. Duke ritheksuar aleancën e palëkundur me ShBA-në, kryeministri shprehu përkushtimin e Qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e edukimit, agrikulturës dhe investimeve”, thuhet në komunikatë.