UBT News

Monitorim i rreptë i çmimeve të naftës, inspektorët në terren gjatë fundjavës

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Mimoza Kusari Lila ka njoftuar se gjatë gjithë fundjavës inspektorët e tregut kanë qenë në terren për të monitoruar zbatimin e vendimit për rregullimin e çmimeve të derivateve.

Ky angazhim vjen pas nënshkrimit të vendimit për përcaktimin e marzhës tregtare me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës.

Sipas të dhënave, marzha maksimale është caktuar 2 centë për shitjen me shumicë dhe 12 centë për atë me pakicë.

Nga të dhënat e siguruara prej Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për naftë ka qenë 1.40 euro për litër, ndërsa për benzinë 1.14 euro.

Ndërkohë, monitorimi në terren tregon se çmimet në pikat e karburanteve aktualisht sillen nga 1.39 deri në 1.55 euro për naftën dhe 1.27 deri në 1.32 euro për benzinën. Ministrja theksoi se po bashkëpunojnë ngushtë me Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës për të analizuar çdo lëvizje të çmimeve.

Kusari-Lila njofton se Inspektorati do të vazhdojë monitorimin e tregut edhe në ditët në vijim për të parandaluar çdo abuzim të mundshëm. Gjithashtu ministrja ka bërë të ditur se për çdo shkelje të evidentuar do të ndërmerren masa të rrepta ndaj operatorëve ekonomikë.

Sipas saj, prioritet mbetet transparenca dhe parandalimi i rritjes së paarsyeshme të çmimeve për qytetarët.

 

Exit mobile version