Mongolia ka sqaruar arsyet përse nuk ka ekzekutuar urdhër-arrestin ndërkombëtar kundër presidentit rus Vladimir Putin, i akuzuar për krime lufte në Ukrainë. Sipas një deklarate të zëdhënësit të qeverisë mongole për Politico, vendi është thellësisht i varur nga energjia dhe nuk mund të rrezikonte stabilitetin e tij ekonomik për shkak të marrëdhënieve të ndërlikuara ndërkombëtare.
“Mongolia importon 95% të produkteve të saj të naftës dhe mbi 20% të energjisë elektrike. Ky furnizim është kritik për të siguruar ekzistencën tonë dhe të popullit tonë,” tha zëdhënësi, duke shpjeguar se ky aspekt është thelbësor për politikën e jashtme të vendit.
Ai shtoi se Mongolia ka mbajtur gjithmonë një politikë neutraliteti në marrëdhëniet e saj diplomatike, e cila është pasqyruar në veprimet e saj të deritanishme. Zëdhënësi gjithashtu theksoi se vizita e Putin në Ulaanbaatar është në përputhje me traditën historike të kremtimit të përvjetorit të fitores nga forcat sovjetike dhe mongole mbi Japoninë në Betejën e Khalkhin Gol në 1939.
Putin zhvilloi një takim me homologun e tij mongol të martën në Ulaanbaatar, në vizitën e tij të parë në një vend që ka ratifikuar Statutin e Romës dhe është e detyruar të ndjekë kërkesat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë. Në mars 2023, ICC lëshoi një urdhër arresti për Putin, duke e akuzuar për dëbimin dhe transferimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas në Federatën Ruse.
Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës ka dënuar Mongolia për mosarrestimin e presidentit rus, duke e cilësuar këtë veprim si një shkelje të detyrimeve ndërkombëtare./UBTNews/