Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara e ka dënuar me burgim të përjetshëm kriminelin serb, Ratko Mlladiq. Kësisoj, është konfirmuar vendimi i shkallës së parë.
Kryetarja e trupit gjykues, Prisca Matimba Nyambe deklaroi konstatimin e Dhomës së Apelit se Mlladiq nuk ka mundur ta hedhë poshtë përfshirjen e tij në krime.
“Dhoma e Apelit konstaton se Mlladiq dështoi ta hedhë poshtë përfshirjen e tij në një ndërmarrje të përbashkët kriminale për të kryer gjenocid, vrasje dhe persekutim”, tha kryetarja e Matimba Nyambe.
Dhoma e Apelit po ashtu hodhi poshtë të gjitha ankesat e avokatëve të kriminelit Mlladiq në lidhje me të drejtën e ish-gjeneralit serb për një gjykim të drejtë. Sipas kryetares së trupit gjykues, Dhoma e Apelit është e mendimit se të drejtat e tij nuk janë shkelur.
“Z. Mlladiq ka kontribuar në arritjen e qëllimit dhe ka punuar në bazë të tij. Ai ka kontribuar në gjenocidin dhe vrasjen e muslimanëve boshnjakë”, tha kryetarja e trupit gjykues.
Siç deklaroi ajo më tej, Mlladiq nuk ofroi prova se viktimat civile kishin mundësi që të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
“Dhoma e Apelit konkludon se ai nuk i kundërshtoi provat dhe se zhvendosja e grave dhe burrave të moshuar ishte e detyruar”, u shpreh Matimba Nyambe.https://www.youtube.com/embed/uVaGTRm0SMU?feature=oembed
Ajo tha se Dhoma e Apelit është e kënaqur që ka arritur të konfirmojë se Mlladiq ka qenë fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit, pengmarrje, përndjekje dhe shkelje të ligjeve të luftës.
“Ai kontribuoi në një ndërmarrje gjithëpërfshirëse kriminale dhe ndau qëllimet e tij”, tha kryegjykatësja.
Siç theksoi ajo, Mlladiq dështoi të provonte se gjykata e shkallës së parë – e cila e dënoi me burgim të përjetshëm – gaboi në ndonjë rast.