Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, nuk njihej për ndjeshmëri dhe sigurisht që mori vëmendje edhe me komentet e diskutueshme. Sensi i humorit shpesh e futi edhe në telashe.
‘Letra e këndshme’ që i shkroi Putinit kur ai e pushtoi Ukrainën
Në tetor të vitit të kaluar, Berlusconi qëndroi fuqishëm pranë mikut të tij të vjetër, presidentit rus Vladimir Putin, pavarësisht se Perëndimi shprehu zemërim për pushtimin e Ukrainës. Lideri italian tha se homologu i tij rus i dërgoi një letër të këndshme dhe ai ia ktheu.
Ai tha: “Për ditëlindjen time, Putin m’i dërgoi 20 shishe vodka dhe një letër të këndshme. Unë ia ktheva me shishe Lambrusco dhe një letër të ngjashme”.
E quajti Obamën “të pashëm” dhe “të rrezitur”
Berlusconi e përshkruajti presidentin Barack Obama “njeri të pashëm, të ri dhe të rrezitur”. Këto deklarata i dha në nëntor të vitit 2008, pasi Obama u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidenti i parë me ngjyrë.
U tha të mbijetuarve të tërmetit se duhet ta konsiderojnë atë si ‘fundjavë kampingu’
Në vitin 2009, Berlusconi vizitoi të mbijetuarit e një tërmeti në rajonin qendror të Abruzzos në Itali, ku ishin vendosur tenda emergjente. Ai tha: “Duhet ta konsiderojmë si fundjavë kampingu”.
Si pasojë e tërmetit kanë vdekur 300 persona dhe dhjetëra mijëra të tjerë kanë mbetur të pastrehë.
U dënua nga gazeta zyrtare e Vatikanit për shaka
Berlusconi u dënua edhe nga gazeta zyrtare e Vatikanit në tetor të vitit 2010, pasi ai tregoi një shaka për një hebre që iu tha hebrenjve të tjerë që të fshihen në bodrumin e tij nga nazistët, pa u treguar atyre se Lufta e Dytë Botërore ka mbaruar.
Ai bëri edhe një sërë shakash të tjera, të cilat u cilësuan si “të mjerueshme” nga gazeta zyrtare e Vatikanit, L’Osservatore Romano.
Berlusconi: “Më mirë t’i pëlqesh vajzat e bukura sesa të jesh homoseksual”
Ish-kryeministri italian ngjalli reagim edhe me komentet e tij fyese që i bëri në vitin 2010. Ai hodhi poshtë thirrjet për të dhënë dorëheqje pas raportimeve se ai ndihmoi një vajzë 17-vjeçare që merrte pjesë në festa në shtëpinë e tij, duke thënë se është “më mirë të pëlqesh vajzat e bukura sesa të jesh homoseksual”.
Berlusconi refuzoi të kërkonte falje dhe mohoi të ketë bërë ndonjë gjë të pahijshme.
“Unë jam Jezu Krishti i politikës”
Në shkurt të vitit 2006, Berlusconi u citua nga mediat italiane duke u thënë mbështetësve: “Unë jam Jezu Krishti i politikës. Unë jam viktimë, i duroj të gjithë, sakrifikoj veten për të gjithë”./UBTNews/