Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se aksionet në veri të vendit janë bërë për efekt elektoral, andaj veprime të tilla e dëmtojnë Kosovën. Sipas tij, rruga e vetme është ripërcaktimi i kufijve, teksa as formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk e sheh si zgjidhje të problemit në veri të vendit. Molliqaj ka thënë se e qëllimi i Kurtit me çështjen e Urës së Ibrit është rritja e votës, ndërsa këtë veprim e sheh si të suksesshëm pasi sipas tij ka arritur ta bindë opinionin publik.
“Është e qartë që çdo gjë po bëhet për me rrit votën, në këtë procesin e prishjes së marrëdhënieve me ndërkombëtarët, në këtë procesin e rritjes së autonomisë për veriun, humbja e sovranitetit coftë edhe nominal sepse ura mbi Ibër është shndërruar edhe më shumë se më herët, ndonëse ishte edhe simbolikë e ndarjes apo e bashkimit, dhe tash kontrolli i njëanshëm i KFOR-it tash nuk është vetëm ndarje simbolikë por ndarje faktike. Qartazi e ka bërë për qasje elektorale dhe urën nuk do të fillonte t’a diskutonte tash para zgjedhjeve por para dy viteve sepse ura nuk është mbyllur tash dhe struktura paralele do të tentonte më herët t’i mbyllë, por i mbyllë tash për shkak të zgjedhjeve. Besoj që ai ia ka dalë dhe i vetmi send që ai ka qenë i suksesshëm është që e ka bindë opinionin publik dhe mund të themi që në rezultate zgjedhore mundë të ketë edhe rezultate të mira me veprime të tilla por janë të dëmshme për Kosovën”, ka thënë Molliqaj.
Përkundër deklarimeve të bashkësisë ndërkombëtare se veprimet në veri janë të pakoordinuara, Kosova sipas Molliqajt i ka dy rrugë: njëra është izolimi dhe tjetra është autonomi substanciale.
“Kosova tanimë ka dy rrugë. Njëra është izolimi dhe tjetra është autonomi substanciale dhe subordinim i plotë i kërkesave të Serbisë dhe faktorit ndërkombëtarë për këtë çështje, sepse nuk ka rrugë tjetër, rruga e tretë është me rrëzu Kurtin, por unë jam kritikë për opozitën dhe mendoj që opozita parlamentare nuk është opozitë dhe për punën që e ka bërë apo se ka bërë do t’a merr një rezultat që fare ajo do t’a sheh se më 9 shkurt besoj që duhet të shihet fuqishëm një mundësi e re pas 9 shkurtit, dhe përndryshe situata është jo e favorshme për shkak të veprimit opozitarë”, ka deklaruar Molliqaj.
Kreu i PSD-së ka thënë se ripërcaktimi i kufijve është rruga e vetme për mbyllje të konfliktit me Serbinë. Sipas tij as formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk e zgjidh problemin në veri.
“Unë besoj që parimi i Kryeministrit duhet me qenë paqja me Serbinë para se me fol për çka do tjetër, besoj që do duhej të ishte e qartë rruga e asociacionit nuk është rruge e paqes por e konfliktit sepse është mundësi e instrumentalizimit dhe nëse do t’a kemi një kryeministër të mirë herën e ardhshme pas tij mundë të vjen dikush i keq dhe sa herë do që të kemi entitete politike të cilat kanë aspirata për shkëputje përfundimtare do të kenë gjithmonë konflikt dhe prandaj PSD beson fuqishëm që ne duhet të jetojmë paqe në Ballkan dhe paqe me Serbinë dhe ne jemi për ripërcaktimin e kufijve sepse besojmë që është zgjedhje e paqes dhe jo e përkohshme por përfundimtare”, u shpreh Molliqaj.
Ish-bashkëpunëtori i Albin Kurtit ka kritika edhe për partitë opozitare pasi sipas tij nuk po arrijnë ta shpërfaqin “dëmin e madh” të Qeverisë. Madje ka thënë se po iu pamundësohet edhe PSD-së të bëjë opozitarizëm.
“Opozita parlamentare ia ka bërë një dëm të pafalshëm Kosovës duke mos krijuar mundësi, jo vetëm për të ndërruar pushtetin por as për të ndërtuar opozitë, dhe mendoj që këtu na kanë dëmtuar edhe neve për shkak se jemi dukur si ekstrem në shoqëri sepse nuk është puna aq keq dhe nuk është aq alarmante se çfarë po bëni ju dhe vendi është një vend demokratik dhe alarmet tona për sulme ndaj mediave apo ndaj bizneseve, kontroll të institucioneve, marrje të bordeve kanë qenë të përshkruara përveç nga pushteti por edhe opozita dhe mbështetës të opozitës në media si inate. Unë jam akuzuar për dy vjet si inatçor, ndonëse kur bëhet një përmbledhje duket se asgjë nuk ka qenë inati sepse të gjitha kanë dalë të vërteta dhe kjo na ka pamundësuar edhe neve si PSD me ndërtu një mbështetje shumë më të fuqishme”, ka thënë Molliqaj.