Në një zhvillim të fundit, Ministria e Jashtme e Moldavisë ka shpallur person non-grata një punonjës të Ambasadës së Rusisë në Kishinjev, duke i dhënë 48 orë kohë për t’u larguar nga vendi. Vendimi ka ardhur pasi autoritetet moldave ndaluan dy zyrtarë të vendit pas një bastisjeje në ndërtesën e Parlamentit, si pjesë e një hetimi për spiunazh.
Ambasadori i Rusisë, Oleg Vasnetsov, u thirr sot në Ministrinë e Jashtme, ku iu dorëzua një letër zyrtare që e shpalli person non-grata një punonjës të Ambasadës. Ministria e Jashtme njoftoi se vendimi u mor pasi autoritetet moldave siguruan informata dhe prova që dëshmojnë se diplomati rus kreu veprimtari të paligjshme në territorin e Moldavisë.
Ky vendim erdhi pak pasi agjentët e Shërbimit të Inteligjencës dhe Sigurisë së Moldavisë dhe Zyra e Prokurorit për Luftimin e Krimit të Organizuar bastisën ndërtesën e Parlamentit të Moldavisë dhe ndaluan dy personat e dyshuar për tradhti dhe konspiracion, të cilët dyshohet se furnizuan informacione të rëndësishme për interesat e Rusisë.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka deklaruar se rasti i tradhtisë do të ndëshkohet në mënyrë të ashpër, në përputhje me ligjin vendas, duke theksuar rëndësinë e sigurisë kombëtare dhe integritetit territorial të vendit./UBTNews/