UBT News

Mohon gjenocidin në Srebrenicë, pritet hetimi ndaj Millorad Dodik

Zyra e Prokurorit të Bosnjë Hercegovinës ka iniciuar një rast kundër presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, për mohim të gjenocidit.

Sipas ligjit, pas inicimit të rastit, Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës kryen hetim, pas së cilit prokurori i rastit vendos nëse do të ngrehë aktakuzë.

Pas kësaj procedure, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës konfirmon ose hedh poshtë aktakuzën, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Gjenocidi nuk ka ndodhur atje, të gjithë ne në Republikën Sërpska e dimë këtë”, tha Dodik gjatë një konference për media në Banja Llukë më 21 shkurt.

Dodik këtë deklaratë e bëri lidhur me Srebrenicën, pasi Përfaqësuesi i Lartë më 21 shkurt miratoi ndryshimet e Ligjit për Qendrën Memoriale Srebrenica-Potoçari. Ndryshimet në këtë legjislacion mundësojnë që paratë që teprojnë nga fondet e dhuruara për varrimin dhe memorialet për viktimat të ridrejtohen për nevojat e tjera të funksionimit të kësaj qendre.

Kjo nuk është hera e parë që Dodik e mohon gjenocidin që kur ish-përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Valentin Inzko, miratoi Ligjin për ndalimin e mohimit të gjenocidit në fund të korrikut 2021.

Gjatë gjenocidit në Srebrenicë në korrik 1995, forcat e Ushtrisë së Republika Sërpska (VRS) vranë rreth 8 mijë burra dhe djem në Srebrenicë dhe rrethinat e saj.

Më shumë se 25 mijë gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan nga zona, që në atë kohë ishin nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.

Masakra është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.

Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës, mbi 1.200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura. Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocid./REL

Exit mobile version