Modelja Victoria Chiamaka Udeh mbante flamurin e Nigerisë me njolla gjaku gjatë një pasarele në një konkurs bukurie në Rusi. Ajo mendoi vetëm për një gjë – të rinjtë që humbën jetën gjatë protestave #EndSars në Nigeri, vitin e kaluar.
Studentja dhe modelja nga Nigeria e shfrytëzoi eventin Miss Africa Russia për të bërë deklaratat në lidhje me dhunën që i përshkoi protestat kundër policisë në vendin e saj në tetor të vitit të kaluar, dhe që kulmoi kur forcat e armatosura qëlluan në drejtim të protestuesve në Lekki.
“Mendoj se nuk më intereson se çfarë mendon juria për mua. Mua më interesonte ta shfrytëzojë eventin Miss Africa Russia për ta përçuar këtë mesazh”, deklaroi ajo.
Në një video të ngjarjes së 13 qershorit, video që u bë virale në rrjete sociale, Udeh shihet me një fustan me ngjyrat e Nigerisë, gjelbër dhe bardhë, duke e mbajtur flamurin me njolla të kuqe. Tha se ky flamur me njolla gjaku simbolizonte gjakun e protestuesve të rinj që humbën jetën vitin e kaluar.
“Shkova në këtë garë për të fituar… Desha të fitoj. Por fitorja… nuk më interesonte më. Unë thjesht doja të portretizoja dhe t’i ndërgjegjësoja njerëzit për atë që ndodhi më 20 tetor të vitit 2020 dhe situatën e pasigurisë së fundit në Nigeri”, deklaroi ajo./UBTNews