Endrit Shala, mjeku kujdestar në Klinikën e Kardiokirurgjisë, ku po trajtohet njëri nga pesë të plagosurit nga përleshja e mbrëmshme në Prishtinë, ka thënë se gjendja e pacientit është stabile, megjithëse ka plagë nga armë zjarri në kafaz të kraharorit dhe në parakrah.
Shala ka thënë se sipas ekzaminimeve të bëra, pacienti nuk ka nevojë për intervenime kardiokirurgjike dhe se mjafton një përcjellje e vazhdueshme e tij.
“Mbrëmë janë bërë ekzaminimet e nevojshme dhe është parë që ai ka nevojë për përcjellje, të paktën për 24 orë në klinikën tonë. Momentalisht është në gjendje stabile, ka një plagë më armë zjarri në kafaz të kraharorit dhe në parakrah, por nuk ka pasur ndonjë indikacion për intervenim kardiokirurgjik. Mjafton një përcjellje e vazhdueshme tij”, ka thënë Shala.
Një përplasje e armatosur mes dy grupeve ka ndodhur mbrëmë në kryeqytet. Rreth orës 22:04 në rrugën Gazmend Zajmi, dy familje të Prishtinës, Sekiraqa dhe Gashi – Capat, i qëruan hesapet mes tyre. Si pasojë një person mbeti i vdekur dhe pesë të tjerë u plagosën.