UBT News

Mjeku i Matthew Perryt pranon fajësinë, përballet me 10 vjet burg

Doktori Salvador Plasencia është deklaruar fajtor për shpërndarjen e paligjshme të ketaminës ndaj aktorit të njohur Matthew Perry, i njohur për rolin e tij në serialin “Friends”.

Ai është personi i katërt që përballet me drejtësinë mbi vdekjen e Perryt në tetor 2023. Edhe pse mjeku nuk ishte përgjegjës për dozën që i mori jetën aktorit, rrëfimi ka hedhur dritë mbi mënyrën si abuzoi me profesionin e dështoi ta mbronte pacientin e tij, i cili ishte i njohur për betejën e gjatë me varësinë.

Plasencia pranoi katër akuza në një gjykatë në Los Angeles dhe do të dorëzojë vullnetarisht licencën e tij mjekësore. Ai pranoi se kishte dorëzuar Perryt dhe asistentit të tij 20 shishe me ketaminë, shiringa dhe tableta për thithje brenda një periudhe prej dy javësh.

Dorëzimi i lëndëve nuk kishte qëllime mjekësore dhe ndodhte në ambiente të pazakonta, përfshirë një parking pranë një akuariumi. Në një nga komunikimet e tij me një tjetër mjek të përfshirë, Mark Chavez, ai e quante Perryn “idiot” dhe përmendte pagesa të larta deri në 12,000 dollarë për një vizitë në shtëpi.

Gjatë një seance më 12 tetor 2023, aktorit iu rrit ndjeshëm tensioni i gjakut, pavarësisht rrezikut të qartë për shëndetin, Plasencia la doza të tjera të ketaminës në duart e asistentit të tij. Hetimet kanë zbuluar një rrjet të tërë personash të përfshirë në furnizimin e Perryt me ketaminë.

Asistenti i tij, Kenneth Iwamasa, ka pranuar se i dha aktorit lëndën narkotike ditën e vdekjes. Eric Fleming, një tjetër i akuzuar, pranoi se kishte shpërndarë dozën vdekjeprurëse që e kishte marrë nga Jasveen Sangha – e njohur në media si “mbretëresha e ketaminës”.

Sangha është e vetmja që nuk ka pranuar fajësinë e do të përballet me gjyq më vonë. Pavarësisht dënimeve të shumta, marrëveshja gjyqësore thekson se ketamina që i mori jetën aktorit nuk ishte dhënë nga Plasencia. Matthew u gjet i vdekur më 28 tetor 2023 në shtëpinë e tij në Los Angeles.

Autopsia konfirmoi se vdiq nga efektet e ketaminës, duke rikthyer vëmendjen publike te rreziqet e varësisë dhe mungesës së kontrollit në sistemin mjekësor.

Exit mobile version