Koalicioni botëror i punonjësve shëndetësorë “Mjekët Kundër Gjenocidit” (Doctors Against Genocide) i ka bërë thirrje Senatit amerikan që të ndërmarrë veprime për t’i dhënë fund gjenocidit në Rripin e Gazës.
“Ne jemi këtu në Senat për të kërkuar që ata të bëjnë punën e tyre“, tha për Anadolu dr. Nidal Jboor, bashkëthemelues i asociacionit DAG.
Koalicioni global i punonjësve shëndetësorë ka mobilizuar mbi 100 mjekë dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë në Capitol, duke bërë thirrje edhe për rikthimin e financimit të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).
Jboor tha se DAG i bën thirrje Senatit që të pranojë dhe miratojë dy rezoluta.
“Rezoluta nr. 68 e Senatit paralajmëron kundër përfshirjes së SHBA-së, kundër vendosjes së forcave amerikane në Gaza, duke e konsideruar si joligjore zhvendosjen me forcë të palestinezëve. SHBA nuk duhet të përfshihet në këtë. Rezoluta gjithashtu thekson të drejtën e popullit palestinez, si të gjithë popujt në botë, për vetëvendosje. Pra, ne u bëjmë thirrje senatorëve që të nënshkruajnë bashkë këtë rezolutë“, shtoi ai.
Jboor shtoi se rezoluta tjetër synon të rikthejë financimin për UNRWA-në.
“Ne e dimë se për këtë do të ketë një votim në Senat dhe u bëjmë thirrje të gjithë senatorëve të punojnë për të rivendosur fondet për UNRWA-në, sepse UNRWA ofron 70 për qind të kujdesit parësor shëndetësor në Gaza“, tha ai, duke shtuar se roli i agjencisë është “shumë vendimtar”.
UNRWA, e themeluar në vitin 1949, ofron shërbime shëndetësore, arsimore dhe sociale për refugjatët palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, Kudsin Lindor, Liban, Jordani dhe Gaza.
Megjithatë, Izraeli muajin e kaluar urdhëroi agjencinë të mbyllte të gjitha operacionet e saj në Kudsin Lindor.
Shefi i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, ka theksuar vazhdimisht se agjencia është “shtylla kurrizore” e reagimit humanitar në Gaza.
Në nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhrarreste për kryeministrin izraelit Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli po përballet gjithashtu me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.