UBT News

Mjegulla e dendur, IHK këshillon për kujdes në komunikacion

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga dita e martë pritet stabilizim i kushteve atmosferike, pasi vendi do të ndikohet nga masa ajri me presion të qëndrueshëm atmosferik. Këto masa do të sjellin mot më të qetë dhe temperatura që i afrohen vlerave mesatare për këtë periudhë të vitit.

Sipas IHK-së, të martën, të mërkurën dhe të enjten në orët e hershme të mëngjesit parashihet paraqitje e mjegullës, e cila mund të ndikojë në uljen e dukshmërisë dhe të vështirësojë qarkullimin rrugor. Për këtë arsye, instituti u bën thirrje pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë kujdes të shtuar.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 dhe 0 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të jenë nga 7 deri në 10 gradë.

Exit mobile version