Sot në Stan Tërg me një ceremoni solemne në objektin e minierës së “Trepçës” është hapur manifestimi “Java e Minatorëve”, kushtuar grevës së lavdishme të minatorëve të Trepçës, të vitit 1989.
Në shënimin e kësaj ngjarjeje të minatorëve kanë marrë pjesë kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u.d i Kryeshefit të Ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahman, drejtor të drejtorive komunale, minatorë grevistë dhe minatorë aktual.
Në njoftimin për media nga komuna e Mitrovicës kanë bërë të ditur se në fjalën e tij, kryetari i komunës, Bedri Hamza, para të pranishmëve tha se shënimi i kësaj ngjarje për të është edhe emocion, sepse ishte punëtor i kombinatit “Trepça” dhe njëkohësisht pjesëmarrës në grevat e organizuara nga minatorët.
“Greva e Minatorëve e vitit 1989 ka qenë nga grevat e para, mos të them të vetmet e cila nuk ka përmbajtur kërkesa sociale, por ka pasur kërkesa politike, në qendër ka pasur mbrojtjen e të drejtave dhe lirive edhe ashtu të paplota të kombit shqiptar”, ka thënë ai.
Më tutje Hamza tha se minatorët nuk u ndalën me greva, e vazhduan angazhimin e tyre politik në lëvizjen paqësore edhe gjatë viteve të 90-ta, nuk e menduan përfundimin e tyre për kontributin për vendin dhe lirinë dhe një pjesë e madhe e tyre iu bashkëngjiten projektit më madhor politik dhe ushtarak të UÇK-së.