Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka miratuar një sprej hundor me veprim të shpejtë nga Pfizer, i krijuar për të trajtuar migrenën, tha sot gjigandi farmaceutik amerikan.
Pfizer tha se priste që ilaçi, i tregtuar me emrin Zavzpret, të jetë i disponueshëm në barnatore në korrik 2023.
“Miratimi i Zavzpret nga FDA shënon një përparim të rëndësishëm për njerëzit me migrenë që kanë nevojë për liri nga dhimbja dhe preferojnë opsione alternative ndaj ilaçeve orale”, tha në një deklaratë shefja tregtare e Pfizer, Angela Hwang.
Një studim i fazës 3 të ilaçit zbuloi se ai u jep lehtësim dhimbjeve disa të sëmurëve nga migrena në vetëm 15 minuta.
“Zavzpret ofron një alternativë trajtimi për njerëzit që kanë nevojë për lehtësim dhimbjeje ose nuk mund të marrin ilaçe orale për shkak të të përzierave ose të vjellave”, Pfizer e citoi Kathleen Mullin, drejtoreshë e asociuar mjekësore.
Pfizer bleu Zavzpret, i njohur gjithashtu si Zavegepant, vitin e kaluar për rreth 10 miliardë dollarë nga Biohaven, së bashku me trajtime të tjera të migrenës nga firma./UBTNews/