Me 67 vota pro, Kuvendi i Kosovës sot ka votuar edhe Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dha arsyeshmërinë e këtij projektligji për të cilin kërkoi edhe mbështetjen e deputetëve të Kuvendit.
Vitia tha se me Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse përcaktohen rregullat për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.
“Në këtë ligj tanimë për menaxhimin e situatave me sëmundje ngjitëse janë caktuar obligime dhe përgjegjësitë institucionale me përkufizim të qartë të detyrave është parashikuar modernizimi i mbikëqyrjes së sëmundjeve ngjitëse si digjitalizimi, sistemi i paralajmërimit të hershëm fleksibilitetit në përditësimin e listës së sëmundjeve ngjitëse dhe përkufizimet e rasteve sipas direktivës sipas BE-së…Janë përfshirë çështjet e veçanta si siguria e pacientit, parandalimi kontrolli i infeksioneve në kujdesin shëndetësor dhe rezistenca antimikrobile që do të jenë për herë të parë në kuadër të këtij ligji“, theksoi ai.
Deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku tha se përcakton rregullat për parandalimin, kontrollin e sëmundjeve ngjitëse e çështjet e veçanta shëndetësore
“Projektligji për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitës përcakton rregullat për parandalimin, kontrollin e sëmundjeve ngjitëse e çështjet e veçanta shëndetësore, dhe kjo politikë përcakton përgjegjësitë e qeverisë MSH, IKSHPK-së dhe obligimet e institucionet të tjera”, tha ajo.
E deputeti nga AAK-së, Shemsedin Dreshaj u shpreh se projektligji që po prezantohet sot është më i mirë se ai i kaluari.
“Ky ligj ka përmirësim krahasuar me ligjin paraprak dhe ne kur e kemi votuar në grupin parlamentar kemi kërkuar që shumëçka ka nevojë të përmirësohet…Është mirë që ligji për Shëndetësi së pari të ishte debatuar dhe pastaj të hyjmë në ligje për sektor të ndryshëm”, theksoi Dreshaj.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj porositi që mos të bëhen ligje me nguti vetëm sa për përmbushur agjendën legjislative.
“Si porosi e jona është që ligjet që prekin më shumë jo vetëm në sferën sestive të shëndetit nuk duhet të bëhen me njëfarë ngutie për shkak të përmbushjes së strategjisë legjislative ligjore. çka kemi gjetur dhe çka duhet komisioni të ndryshoj është tek vetë qëllimi por edhe dispozitat kalimtare me situatën kalimtare me këtë ligj shfuqizohet edhe ligji anti-covid, ndërsa ne kemi akoma shpalljen e gjendjes emergjente dhe raste me COVID-19”, tha ai.