UBT News

Miratohet në parim Projektligji për Gjykatën Komerciale

Komisioni për legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për Gjykatën Komerciale.

Nevoja për themelimin e saj u konsiderua e domosdoshme nga mazhoranca dhe një pjesë e opozitës, ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shprehu mëdyshje për rolin e kësaj gjykate në sistemin juridik dhe kushtetues të vendit.

Kryetari i Komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi tha se miratimi i këtij projektligji është i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Themelimi i një Gjykate të veçantë komerciale, e cila do të ketë për mandat dhe fushëveprimtari vetëm çështjet komerciale me gjyqtarë të përgatitur mirë dhe mbështetje institucionale dhe buxhetore do t’i shërbej zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe trajtimit efikas të kontesteve të caktuara komerciale”, tha ai.

Përkrahje ndaj këtij projektligji shprehu edhe Hajdar Beqa nga PDK, por tha se i njëjti është marrë i gatshëm nga ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Kjo nismë ka qenë në kohën kur ministër ka qenë Abelard Tahiri i PDK-së dhe shihet se ky draft është drafti që ka qenë në sirtarët e Ministrisë së Drejtësisë, nuk ka asnjë ndryshim, asnjë pikë dhe presje” tha ai.

Duke ironizuar me këtë deklarim të deputetit të PDK-së, Rrustemi i LVV-së tha se po i pëlqen strategjia e partisë më të madhe opozitare për t’i mbështetur nismat ligjore të Qeverisë Kurti.

Ndërsa edhe Besnik Tahiri nga AAK e përkrahu miratimin në parim të këtij projektligji, ai shtoi se partia në pushtet me këto veprime po përkrah politika të djathta.

Por, mëdyshje për miratimin e tij shprehu deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

“Duhet të shohim a jemi në rregull në kontekstin kushtetues dhe ligjor për themelimin e Gjykatës Komerciale”, tha Selmanaj.

Krahas kësaj, komisioni miratoi në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Exit mobile version