Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se sot është miratuar propozim-vendimi që të ndërtohet Qendra Rezidenciale për autizëm, sindromë down dhe aftësi të kufizuara për fëmijë, të rritur dhe të moshuar.
Për këtë qendër do të jepen në shfrytëzim pesë zona kadastrale në Graçanicë.
“Në mbledhjen e 218-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës miratuam propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të pesë (5) zonave kadastrale në Graqanicë, me qëllim të ndërtimit të Qendrës Rezidenciale të Kosovës për autizëm, sindromë doën dhe aftësi të kufizuara për fëmijë, të rritur dhe të moshuar.”
Aliu ka thënë se kjo nismë synon përmirësimin e cilësisë së jetës dhe ofrimin e një mjedisi të sigurt dhe stimulues për ata që kanë nevojë.
“Kjo nismë synon që të përmirësojë cilësinë e jetës dhe të ofrojë një mjedis të sigurt dhe stimulues për ata që kanë nevojë për kujdes të veçantë dhe mbështetje gjatë gjithë jetës së tyre. Ndërtimi i këtij kompleksi është një hap i rëndësishëm drejt integrimit dhe përkrahjes së të gjithë individëve në nevojë, gjithnjë duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe më të drejtë.”