Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar nisma për negocimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime dhe ndërmarrjes publike “Termokos” për shërbime të konsulencës për ta mbështetur zgjerimin e ngrohjes qendrore në Prishtinë.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka paraqitur para kabinetit qeveritar nismën për negocim të marrëveshjes në vlerë 1.5 milion euro në formë granti.
“Marrëveshja parasheh ofrimin e asistencës teknike nga Banka Evropiane për Investime për ndërmarrjen publike “Termokos”, për hartim të mundësive të fizibilitetit për zgjerim të rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, për të ofruar shërbime te një pjesë më e madhe e qytetarëve dhe me çmime të përballueshme. Marrëveshja kap vlerën deri 1.5 milion euro në formë granti. Akterë në këtë marrëveshje, përpos Bankës Evropiane për Investime dhe Ministrisë, është edhe ndërmarrja publike “Termokos”’, ka thënë Murati.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe nisma për amendamentimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Krushevë në Dragash me Shishtavec në Kukës.