Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile.
Pozitë dhe opozitë përkrahën një marrëveshje të tillë, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se qëllimi i marrëveshjes është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën juridike mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike, në fushën civile dhe tregtare mes dy vendeve dhe lehtësimi i procedurave ligjore në këtë fushë. Kjo marrëveshje zbatohet për çështjet që përfshijnë procedurat me gjendjen civile, familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë dhe marrëdhëniet e tjera civile dhe tregtare të personave fizikë por edhe juridikë”, tha ajo.