Me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar Ligji për Prokurorinë Speciale. Këtë ligj e ka mbështetur shumica parlamentare, por jo edhe opozita. Këta të fundit kanë kërkuar që kjo nismë ligjore të kthehet në lexim të tretë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar që për shkak të kundërshtisë ndaj një paragrafi, do të kërkojnë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi kërkoi miratimin e këtij ligji.
“Në mbledhjen e mbajtur me 13 korrik 2023 shqyrtoi (komisioni) projektligjin numër 08L168 për Prokurorinë Speciale me amendamentet e propozuara nga grupi punues dhe vendosi që Kuvendit të ja paraqes rekomandimin për miratim në lexim të dytë, të raportit me amendamente dhe të projektligjit”, tha ai.
Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Driton Selmanaj tha se partnerët ndërkombëtarë dhe shoqëria civile ka rekomanduar heqjen e një paragrafi, por shumica parlamentare nuk e ka marrë parasysh.
“Duhet të shpreh shqetësimin ose qasjen tonë të papranueshme për një paragraf të këtij projektligji të cilin fatkeqësisht shumica parlamentare nuk na dëgjoi. Dhe komisioni më pas përkundër dallimeve të mëdha që kishim brenda Grupit punues, arriti ta tejkalojë. Çështja është që bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale me ligj është përcaktuar që kjo të rregullohet me një akt nënligjor por që e miraton qeveria pas propozimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në konsultim thotë me Këshillin Prokurorial. Për neve, është e papranueshme. Pse? Sepse ky ligj është material dhe tërë substancën e vet e rregullon Prokurorinë Speciale. Dhe duhet Prokurorisë Speciale dhe Këshillit Prokurorial t’i lejohet që ata të nxjerrin akt nënligjor dhe të përcaktojnë mënyrën e funksionimit dhe bashkëpunimit me policinë. Jo qeveria. Qeveria nuk mund të përcaktojë format e bashkëpunimit mes dy pushteteve që janë institucione të pavarura”, deklaroi Selmanaj.
Selmanaj shtoi se nëse një gjë e tillë nuk ndryshon, detyrohen ta dërgojnë për interpretim në Kushtetuese.
“Përndryshe na detyroni që edhe këtë çështje, fatkeqësisht, të detyrohemi ne që ta qojmë në Gjykatë Kushtetuese si instrumenti i fundit i cili garanton pavarësinë e funksionimit kushtetues të pushteteve në Kosovë”, shtoi ai.
Ndërsa deputeti Rrustemi tha se është shtjerrë diskutimi dhe nuk arsyetoi kundërshtimin e deputetit Selmanaj.
“Nuk kemi arritur që të kemi një harmonizim të çështjes në fjalë. Nuk është aq dramatike sa po e bën zotëri Selmanaj, por jemi përpjekur që ta gjejmë një gjuhë të përbashkët. Ne si mazhorancë jemi për ta proceduar në miratim, nuk ka asnjë arsye për ta kthyer në lexim të tretë, sepse është shteruar diskutimi në mes të zotëri Selmanaj, si drejtues të grupit punues, komisionit, kemi pasur debat në komision. Jemi të vetëdijshëm për çfarë po propozojmë për të votuar”, deklaroi ai.
Megjithatë, edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kjo nismë ligjore duhet të dërgohet në lexim të tretë.
“Unë mendoj që ky ligj duhet të shkojë edhe një herë në lexim të tretë. Ajo çka ka ndodhur në Komisionin për Legjislacion, në fakt një debat në mes të Selmanaj dhe qeverisë. Qeveria ka qenë tepër e ngurtë, përderisa ne në komision kemi qenë të hapur. Prandaj unë mendoj që në qoftë se ky ligj miratohet tani, atëherë ligji do të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese për shkak se argumentet që i ka dhënë zotëri Selmanaj në komision kanë qenë tepër të prekshme në raport me shkeljet kushtetuese”, u shpreh ai.
Me 64 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim janë miratuar edhe 48 amendamentet dhe Projektligji për Pronën Publike. Në seancën e sotme është miratuar edhe Ligji për plotësimin dhe ndryshimin e Penal të Kosovës. Me votat e shumicës parlamentare është miratuar edhe Ligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.