BE-ja ka miratuar një ligj historik për të mbrojtur natyrën, duke i dhënë fund një bllokimi prej muajsh midis shteteve anëtare që ishin skeptike dhe kundër miratimit të ligjit. Sipas këtij ligji, 20% e tokës dhe detit brenda bllokut do të restaurohet deri ne fund të dekadës.
Ligji, që kur u propozua është përballur me diskutime dhe skepticizëm të madh nga shumë vende anëtare brenda bllokut. Ligji ka rezultuar të jetë pjesa më e diskutueshme e marrëveshjes së gjelbër.
Pro votuan 20 vende, 6 ishin kundër ndërsa Belgjika abstenoi. Vendet që ishin kundër e kritikuan miratimin e ligjit, pasi sipas tyre vendos kosto shtesë administrative dhe financiare mbi shtetet. Ligji detyron shtetet anëtare që të marrin masa dhe të kontribuojnë në mbjelljen e të paktën 3 miliard pemëve të reja. Cesar Luena, eurodeputet i qendrës së majtë nga Spanja që udhëhoqi negociatat e Parlamentit Evropian, e cilësoi pozitive miratimin e ligjit, shkruan RTSH.
“Sot shënohet një ditë e rëndësishme për Evropën pasi ne kalojmë nga thjesht mbrojtja dhe ruajtja e natyrës në rivendosjen aktive të saj”, tha ai.
Ndërsa aktivistët e cilësuan votimin si një fitore “historike” për natyrën e Evropës, por kritikuan “sulmet e vazhdueshme” që e hodhën poshtë atë dhe shkaktuan vonesa në miratimin e tij./UBTNews/