Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi sot vaksinimin me dozë të tretë të personave mbi moshën 60-vjeçare.
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli tha se Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit sugjeron që në këtë situatë do të vijojë të mbetet prioritet mbulimi i popullsisë me dozën e parë e të dytë të vaksinës për ata që nuk e kanë bërë.
“Njëkohësisht Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit vendosi që personat të cilat janë mbi 60 vjeç të bëjnë dozën e tretë vaksinës, jo më herët se 6 muaj pasi kanë bërë dozën e dytë sipas udhëzimeve që jep Instituti i Shëndetit Publik duke filluar nga data 1 nëntor i këtij viti”, theksoi Rakacolli.
Zv.ministrja Rakacolli u shpreh se “fëmijët që janë mbi 16 vjeç do të ftohen për t’u vaksinuar me lejen e prindërve me rekomandimin e mjekut të familjes dhe mjekut pediatër dhe IShP-së”.
“Do të ftojmë për të vaksinuar edhe fëmijët që janë 12-15 vjeç dhe paraqesin sëmundje që kanë të bëjnë me ulje të imunitetit, në bazë të rekomandimit të mjekut pediatër, në bashkëpunim edhe me IShP-në”, – nënvizoi Rakacolli.