UBT News

Miratohet dorëheqja e komandantit të Policisë në Lipjan pas vdekjes së 27-vjeçarit

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se e ka miratuar kërkesën e Komandantit të Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, për të dhënë dorëheqje nga pozita, pas rastit të raportuar më herët gjatë javës në këtë komunë, në të cilin ka vdekur 27-vjeçari Agon Zejnullahu.

Ka bërë kërkesë për lirim nga detyra dhe i është aprovuar“, ka thënë shkurt Hoxha në një përgjigje me shkrim.

Agon Zejnullahu ka vdekur në orët e para të datës 7 korrik, në Lipjan.

Pesë zyrtarëve të Policisë së Kosovës që e kanë ndaluar të ndjerin më 7 korrik u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, meqë dyshohen për kryeje të veprës penale “vrasje nga pakujdesia”.

Seanca dëgjimore ndaj tyre është mbajtur të mërkurën, në Lipjan.

Ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë thirrje për transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka apeluar për hetime të shpejta e të thella.

Sipas pamjeve që janë shpërndarë media dhe rrjete sociale, i ndjeri shihet me duar të lidhura.

Ky rast ka nxitur reagime të shumta, derisa një protestë është mbajtur dje në Ferizaj, e të tjera janë paralajmëruar.

Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore ende nuk ka raport për vdekjen e 27-vjeçarit.

Exit mobile version