UBT News

Miratohen amendamentet e Projektligjit për Institutin e Krimeve të Luftës

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit miratoi sot raportin me amendamente për Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

E amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës shkuan për votim në seancë pa përkrahjen e Komisionit për Legjislacion.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi tha se PDK ka propozuar 6 amendamente, për të cilat nuk është gjetur pajtueshmëri.

“Grupi punues e ka përfunduar punën për Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, ky projektligj në lexim të parë në Kuvend ka kaluar më 07.10.2022… Në këtë projektligj grupi parlamentar i PDK-së ka propozuar 6 amendamente, por që në grup punues nuk kemi arritur që të kemi pajtueshmëri, disa prej tyre janë përfshirë, por jo në kuptimin identik të fjalës dhe jo në tërësi… Konstatoj se miratohen amandamentet e komisionit në cilësi të atij funksional”, tha ai.

Anëtarët e këtij Komisioni e shqyrtuan edhe raportin me amendamente për Projektligjin për Ekspertët Gjyqësor.

Kryesuesi i grupit punues, Dimal Basha tha se kanë propozuar 41 amendamtene, të cilat do të mundësojnë zbatueshmëri në praktikë të Projektligjit për Ekspertët Gjyqësor.

“Grupi punues e ka shqyrtuar projektligjin për Ekspertët Gjyqësor me të gjitha palët e interesit përfshirë këtu ministrinë e Drejtësisë, KGJK-në, KPK-në ambasadën Amerikane. I kemi paraqitur Komisionit për miratim 41 amendamente përmes të cilave grupi punues ka vlerësuar se përmirësohet përmbajtja e ligjit. Ky projektligj do të zbatohet nga institucionet publike që kërkojnë ose pranojnë ekspertiza përgjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore apo administrative… Përmes propozim amendamenteve kemi vlerësuar se përmirësohet përmbajtja dhe struktura e ligjit dhe i njëjti do të jetë më lehtë i zbatueshëm në praktikë”, u shpreh ai.

Vitin e kaluar, Kuvendi i Kosovës me 58 vota për e ka miratuar Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë, institut ky që do të funksionojë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë ka për qëllim themelimin, organizimin, funksionimin dhe përcaktimin e kompetencave të Institutit për Krimet të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Exit mobile version