Profesor doktor, Sylë Tahirsylaj, është vlerësuar lartë nga miq e bashkëpunëtorë, në një mbledhje komemorative që është mbajtur të martën.
Profesori Bedri Dragusha tha se Tahirsylaj nuk është fizikisht në mesin tyre, por puna, vepra dhe shkrimet e tij, do të jetojnë çdo herë.
“Lajmi i hidhur për vdekjen e profesorit Sylë Tahirsylaj na preku të gjithëve. Të vetëdijshëm për këtë humbje të madhe, kolegët e të gjithë personeli i këtij institucioni, studentët, familja dhe miqtë e shumtë nga Kosova, nga të gjitha fiset shqiptare, diaspora, sot ndjejnë dhimbje dhe pikëllim të thellë për vdekjen profesorit Sylë Tahirsylaj. Është e vështirë për mua sot të mbaj këtë fjalë për profesorin Tahirsylaj që nuk është në mesin tonë po njëkohësisht jam krenar dhe ndihem i privilegjuar që pata fatin të jem koleg dhe mik i ngushtë i profesorit Tahirsylaj. Ishte shembull për të tjerët se si dhe sa duhet të punohet me gjeneratat e reja. Profesori Tahirsylaj nuk është fizikisht në mesin tonë, por puna, vepra dhe shkrimet e tij do të jenë çdo herë në mesin tone”, tha Dragusha.
Ndërkohë, Don Lush Gjergji theksoi se profesori Sylë Tahirsylaj ka lënë shembull të jetës familjare, profesionale, përjetime të paharrueshme, jo vetëm për familjen, po edhe me gjerë për popullin.
“Le një shembull të jetës familjare, profesionale të njeriut që ka lënë mbresa përshtypje, përjetime të paharrueshme jo vetëm për familje po edhe me gjerë për shoqërinë tonë, popullin tonë për Kosovën tonë. Ne familja jote, populli yt, Kosova jonë gjithmonë të kujtoftë dhe kurrë mos të harroftë, pusho në paqe”, theksoi ai.
Ndërsa kryetar i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se baçi Sylë, siç e quajti ai, do të kujtohet shumë gjatë.
“Baci Sylë do të jetë i gjallë për ne dhe do te kujtohet shume gjatë. Ngushëllime për të gjithë që keni punuar dhe sidomos familjes së ngushtë”, tha Ramosaj.
Edhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, i shprehu ngushëllime familjes dhe të gjithë të afërmëve të profesorit Sylë Tahirsylaj.
“Në momentet si këto kur bëhemi bashkë për të dhënë lamtumirën e fundit, fjalë janë të pakëta për të shprehur gjithë dhimbjen. Ne e vlerësojmë dhe shprehim mirënjohjen më të thellë ndaj profesorit Tahirsylaj”, tha ajo.
Meteorologu i njohur kosovar vdiq të dielën.