UBT News

Minus 40 gradë Celsius temperaturat në Finlandë e Suedi

Finlanda dhe Suedia kanë regjistruar temperaturat më të ulëta të dimrit të martën, kur termometrat treguan në minus 40 gradë Celsius, ndërsa rajoni nordik po përballet me një valë të ftohtit, raporton agjencia “AP”.

I ftohti dhe bora kanë çrregulluar transportin nëpër rajon, përfshirë edhe në Norvegji ku një autostradë e madhe në jug është mbyllur shkaku i motit dhe po ashtu linjat e trageteve kanë pezulluar punën. Operatorët suedezë të trenit kanë treguar se i ftohti ka shkaktuar probleme të mëdha në trafikun hekurudhor në veri të Arktikut.

Nikkaluokta, një fshat i vogël i banuar me banorë indigjenë Sami në veri të Suedisë, ka regjistruar të martën temperaturë minus 41.6 gradë Celsius.

“Është moti më i ftohtë që kemi pasur deri tash këtë dimër dhe do të vazhdojë të jetë mjaft ftohtë në veri”, ka thënë meteorologu i transmetuesit publik suedez SVT, Nils Holmqvist.

Instituti Hidrometeorologjik i Suedisë, ka raportuar temperatura minus 30 gradë Celsius në disa lokacione në veri të Suedisë, dhe ka lëshuar paralajmërim për borë dhe erëra në pjesën qendrore dhe jugore të Suedisë. Është shkalla e dytë më e lartë e paralajmërimit dhe vlen nga mesnata e të mërkurës.

Exit mobile version