Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar të hënën se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, pas verifikimit të të gjithë dokumentacionit në dispozicion për Klan Kosovën Sh.P.K., ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
“Kjo, pasi që Komisioni ka siguruar dokumentacionin aktual nga institucioni përkatës në Maqedoninë e Veriut, për “Pronarët e Vërtetë të Subjektit”, në të cilin dokumentacion ka gjetur se Kosova paraqitet përsëri si pjesë e Serbisë”, thuhet në njoftimin e MINT-it.
Po ashtu sipas kësaj ministrie në bazë të këtij dokumentacioni, i cili gjendet më poshtë (shih f. 1 dhe 3), Komisioni ka refuzuar ankesën e parashtruar nga pala në procedurë, duke konfirmuar të njëjtën shkelje të Kushtetutës që e ka konstatuar ARBK në shkallën e parë.
“Çdo palë në procedurë gëzon të drejtën e ankimimit ndaj vendimeve të ARBK-së. Mirëpo, shkeljet e Kushtetutës nuk mund të konsiderohen kurrë si çështje “teknike””, thuhet në njoftim.
Ndërsa, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, sot (e hënë) në mesditë mban protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.